UBT News

Zëri i Demokracisë, një nga mediat e fundit të pavarura të Kamboxhias, është mbyllur

Një nga mediat e fundit të pavarura në Kamboxhia është mbyllur nga kryeministri Hun Sen para zgjedhjeve kombëtare të muajit korrik. Ky vendim i tij u dënua nga grupet e të drejtave të njeriut, që e cilësuan si goditje për lirinë e shtypit.

Me qendër në kryeqytetin Phnom Penh, Zëri i Demokracisë (VOD), një media lokale e drejtuar nga Qendra kamboxhiane për Median e Pavarur, publikoi raporte në radio dhe në mediat online mbi çështjet e punës dhe të drejtave, krimin mjedisor dhe korrupsionin politik.

Ky medium raportoi javën e kaluar se Hun Manet, djali i kryeministrit, dyshohet se nënshkroi një marrëveshje për të dhuruar ndihmë për Turqinë, që u godit nga tërmeti javën e kaluar. Sipas raportit, ai tejkaloi autoritetin e tij.

Hun Sen i hodhi poshtë këto raportime, dhe përmes disa deklaratave në Facebook akuzoi mediumin se e ka sulmuar djalin e tij për t’ia dëmtuar “dinjitetin dhe reputacionin” qeverisë kamboxhiane. Ai gjithashtu refuzoi kërkimfaljen nga ky medium dhe tha se stafi i redaksisë “duhet të kërkojë punë diku tjetër”.

Zyrtarët qeveritarë ia hoqën licencën mediumit dhe bllokuan faqet e saj të internetit në gjuhën angleze dhe Khmer.

Hun Sen ka shërbyer si kryeministër i vendit që nga viti 1985, duke e bërë atë një nga udhëheqësit më jetëgjatë në botë.

Gjatë mandatit të tij, disa gazeta dhe faqe interneti të pavarura janë mbyllur dhe dhjetëra figura të opozitës janë burgosur ose detyruar në internim.

“Zëri i Demokracisë ka shërbyer si një shtyllë e rëndësishme e raportimit investigativ të pavarur dhe kritikës objektive për vite me radhë”, tha Phil Robertson, zëvendësdrejtor i Azisë në Human Rights Watch. “Mbyllja e VOD nga Hun Sen është një goditje shkatërruese për lirinë e medias në vend dhe do të ketë një ndikim në të gjithë shoqërinë kamboxhiane”.

“Populli kamboxhian është humbësi i fundit sepse ata kanë humbur një nga burimet e fundit të mbetura të lajmeve të pavarura për çështje që prekin jetën e tyre, jetesën dhe të drejtat e njeriut”, deklaroi ai tutje.

Amnesty International tha se mbyllja është “paralajmërim i qartë për zërat e tjerë kritikë” disa muaj para zgjedhjeve kombëtare të korrikut./UBTNews/

Exit mobile version