Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri thotë se vlera e prezantuar e koeficientit sot nga qeveria është e pa pranueshme.
Zeqiri ka thënë po ashtu se si sindikatë do të reagojnë për ta ndryshuar vlerën e koeficientit.
Në një prononcim për KP, Zeqiri tha se me këtë vlerë do ju zbritet paga një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë.
“Neve si sindikatë nuk jemi të kënaqur me këtë vlerë të koeficientit, duke llogaritur fillimisht që një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policor me këtë vlerë të koeficientit u zbritet paga, kurse, edhe ata janë pjesëtarë të policisë, dhe në rast se themi se kemi një rritje të pagës bazë të polici, duke e ditur që kemi të bëjmë me grada dhe kemi edhe pjesën e stafit civil dhe kur e dimë se në këtë ligjin e pagave, rrezikshmërinë e kanë vlerësuar vetëm me një për qind të buxhetit të pagave e që nuk jemi në dijeni sa do t’i bije apo nëse vërtetë mbetet ashtu do të jetë një shtesë jashtëzakonisht modeste”, theksoi Zeqiri.
Zeqiri tha se gjatë javës së ardhshme do të bëjnë kërkesë për ta ndryshuar këtë vlerë të koeficientit.
“Sigurisht do të bëjmë kërkesë, do të reagojmë veç presim me mbledh Këshillin Drejtues dhe të koordinohemi edhe me sindikatat e tjera dhe ta bëjmë një kërkesë apo ankesë, thjesht t’i shprehim pakënaqësitë”, tha Zeqiri.
Vlera e koeficientit të prezantuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2023 është 105 euro.