UBT News

Zendaya përballet me kritika për vathët e lashtë iranianë gjatë promovimit të “The Odyssey”

Aktorja Zendaya është përfshirë në një debat kulturor pasi mbajti një palë vathë me origjinë nga artefakte të lashta iraniane gjatë turneut promovues të filmit të ri “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan, ka shkruar The Guardian.

Gjatë një eventi në Londër, Zendaya, e cila në film interpreton perëndeshën Athena, u shfaq me vathë prej ari që datojnë rreth 700 vjet para erës sonë. Bizhuteritë lidhen me thesarin e Ziwiye, një koleksion objektesh të lashta të zbuluara në veriperëndim të Iranit në vitet 1940.

Përdorimi i tyre ka nxitur reagime nga arkeologë dhe historianë, të cilët kritikuan shfaqjen e objekteve me rëndësi të madhe kulturore si aksesorë mode për një promovim filmik.

Historiania e artit me origjinë iraniane, profesoresha Sussan Babaie, e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke thënë se këto objekte nuk duhet të trajtohen thjesht si stoli.

“Këto janë objekte që nuk janë krijuar për t’u shfaqur si aksesorë. Ato janë trashëgimi njerëzore, trashëgimi botërore, jo thjesht stoli”, ka deklaruar Babaie.

Sipas saj, përdorimi i tyre në këtë mënyrë ua humb kuptimin historik dhe shpirtëror, duke e cilësuar si “përvetësim dhe thjeshtim të kontributeve kulturore të Iranit ndaj njerëzimit”.

Vathët i përkasin galerisë “Barron London”, e cila ka deklaruar se objektet janë ruajtur në përputhje me dokumentacionin e origjinës dhe kërkesat ligjore. Sipas galerisë, huazimi nuk kishte qëllim komercial, por synonte të nderonte mjeshtërinë e argjendarëve të lashtë persë.

Thesari i Ziwiye përfshinte objekte prej ari, argjendi, bronzi dhe terrakote. Shumë prej tyre u grabitën pas zbulimit dhe më pas përfunduan në tregjet e antikuarëve, muze dhe koleksione private në vende të ndryshme.

Arkeologia Annelise Baer ka thënë se shqetësimi kryesor etik lidhet me historinë e ndërlikuar të origjinës së disa prej këtyre objekteve.

“Çështja kryesore është se vetë vathët janë të lidhur me antikitete të grabitura. Fakti që Zendaya i mbajti ato është dytësor, por paraqitja e tyre në një premierë të madhe ndërkombëtare i solli këtë çështje në vëmendjen e publikut”, ka thënë ajo./A.K/

Exit mobile version