UBT News

Zendaya dhe Tom Holland shmangin zërat për martesë, theksojnë privatësinë e lidhjes

Aktorja e njohur Zendaya ka deklaruar se ajo dhe partneri i saj, Tom Holland, nuk kanë ndërmend të konfirmojnë apo të mohojnë spekulimet për martesë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm publik.

Thashethemet për një martesë të mundshme nisën muajin e kaluar, pasi stilisti Law Roach pretendoi se çifti ishte martuar në fshehtësi. Megjithatë, dy yjet e filmit “Spider-Man” nuk kanë dhënë asnjë reagim të drejtpërdrejtë lidhur me këto pretendime.

Në një intervistë për podcastin “Modern Love” të The New York Times, Zendaya ka theksuar se zgjedh të mbajë disa aspekte të jetës personale larg vëmendjes publike.

“Ndjej që publiku ka krijuar një lloj afërsie emocionale me jetën time personale. E di që jam figurë publike dhe ai gjithashtu, dhe jemi rritur para syve të publikut, madje kemi luajtur në filma ku dashurohemi. E kuptoj këtë dhe nuk dua ta mohoj me qëndrime si ‘qëndroni larg jetës sime’”, është shprehur ajo.

Aktorja ka shtuar se, pavarësisht famës, mbetet një person mjaft privat.

“Në shumë mënyra jam shumë private dhe përpiqem të kem disa gjëra vetëm për veten dhe për të”, ka thënë ajo.

Ylli i serialit “Euphoria” ka nënvizuar se qëllimi i tyre nuk është të fshihen nga publiku, por të ruajnë intimitetin e marrëdhënies.

“Nuk po përpiqemi të fshihemi nga bota, por të ruajmë disa gjëra për veten tonë, që të mbajmë atë lumturi brenda rrethit tonë, me familjen dhe njerëzit e afërt”, ka deklaruar ajo.

Zendaya ka pranuar gjithashtu se vendos kufij të qartë për atë që zgjedh të ndajë me publikun.

“I dëgjoj këto gjëra, por kam edhe kufijtë e mi për atë që dua të flas dhe çfarë jam e gatshme të ndaj”, ka shtuar ajo.

Së fundmi, ajo iu shmang sërish pyetjeve për martesë në një intervistë tjetër, duke u përgjigjur me humor: “Nuk e di, kjo është puna e sekreteve, apo jo?”.

Sipas raportimeve, çifti është fejuar në fund të vitit 2024, pas disa vitesh lidhjeje. Ishte pikërisht Law Roach ai që rindezi debatet, duke deklaruar për Access Hollywood se “dasma ka ndodhur tashmë”.

Nga ana tjetër, Holland ka theksuar më herët se marrëdhënia e tyre është diçka që e mbrojnë me kujdes.

“Marrëdhënia jonë është diçka që e mbrojmë shumë dhe duam ta mbajmë sa më të shenjtë. Nuk i detyrohemi askujt shpjegime; është çështja jonë dhe nuk ka lidhje me karrierat tona”, ka thënë ai.

Exit mobile version