Banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, u mblodhën sot në Bujanoc për të protestuar kundër asaj që ata e quajnë diskriminim sistematik nga Qeveria serbe. Duke mbajtur flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “Kthema adresën”, protestuesit kërkuan respektimin e të drejtave të tyre për identitet dhe dinjitet. Shumë prej tyre ishin të veshur me fanella që mbanin sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.
Në fjalën e tij gjatë protestës, Shaip Kamberi, përfaqësues i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare. Ai theksoi se Beogradi vazhdon t’i trajtojë shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë, duke refuzuar njohjen e diplomave të tyre dhe duke i përjashtuar nga pjesëmarrja në institucione shtetërore. Kamberi kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe të bëjë presion mbi Serbinë për të ndalur atë që ai e quajti “diskriminim klasik” dhe “aparteid.”
Kamberi, i cili ka fituar edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, e përsëriti kërkesën e tij për Qeverinë serbe që të zbatojë obligimet e saj nga marrëveshjet e nënshkruara, duke përmendur Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001 dhe planin 7-pikësh të vitit 2013. Ai theksoi se shqiptarët në Luginë kanë pasur gjithmonë besim në vlerat demokratike perëndimore dhe jo në premtimet e Beogradit.
Profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini, ka ngritur shqetësimin për mungesën e teksteve shkollore, një problem i rëndë për arsimin në Luginën e Preshevës.
“Në mungesë të teksteve shkollore, profesorët detyrohen të japin mësim në mënyrë alternative. Ndërkohë, vendet e rajonit përdorin mjete të avancuara në sistemin e tyre mësimor, ndërsa neve po na mohohet sigurimi i këtyre teksteve. Historia dhe gjeografia po na ndalohen si lëndë, duke krijuar një boshllëk të madh në edukimin e nxënësve,” ka deklaruar ai.
Studenti Enis Fejzullahu ka theksuar vështirësitë me të cilat përballen studentët shqiptarë për shkak të mosnjohjes së diplomave nga shteti i Serbisë.
“Gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit, studenti nga Lugina e Preshevës përballet me barrën e rëndë të mosnjohjes së diplomës. Ky është një burim i vazhdueshëm brenge, sepse pas përfundimit të studimeve, ekziston frika e madhe që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij në vendin e tij,” ka theksuar ai.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka vënë në pah sfidat unike me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Serbi.
“Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët, edhe pse ne jemi në tokat tona dhe nuk i kemi uzurpuar ato. Përkundrazi, dikur ishim shumë më të shumtë dhe shtriheshim shumë më gjerë sesa jemi sot. Padrejtësia në Luginën e Preshevës është evidente në çdo aspekt të jetës,” ka deklaruar Lutfiu.
Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi, me një numër prej 61,687 banorësh, por ata vazhdojnë të përballen me sfida të shumta në përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin e tyre në këtë rajon./UBTNews/