Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sërish ka deklaruar se vaksina anti-Covid pritet të arrijë në Kosovë në muajin shkurt. Zemaj tha se janë duke punuar në sigurimin e kësaj vaksine.
Ai ka folur edhe për tubimet e partive politike dhe moszbatimin e masave, teksa bëri thirrje që të gjithë t’i respektojnë masat.
“Nuk duhet të presim vetëm gjoba dhe ndëshkime, por duhet respektuar masat. Partitë politike organizojnë tubime e ato janë individuale, të gjithë duhet të thërrasin vetveten”, tha Zemaj.
Teksa i pyetur se a do të ketë lirim të masave, Zemaj u shpreh se nuk pritet të ndodh njëherë.
“Nuk mund t’ia lejojmë vetes komoditetin që të shkojmë në lirimin e ndonjë mase të caktuar, që mund të prishte stabilitetin e rasteve dhe pandemisë”, deklaroi ai.