Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u takua sot me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, të cilit ia ka adresuar çështjen që kompanitë private të sigurimeve të marrin në konsideratë kompensimet financiare të shpenzimeve shëndetësore të klientëve, të trajtuar në spitale nga Covid-19.
“Në BQK, në takim me guvernatorin, z. Fehmi Mehmeti, adresova çështjen e kompanive private të sigurimeve të marrin në konsideratë kompensimet financiare të shpenzimeve shëndetësore të klientëve, të trajtuar në spitale nga Covid-19.Kërkova të zbatohen të drejtat e të siguruarve të parapara me ligj, kompanitë t´u përmbahen marrëveshjeve dhe kontratave të sigurimeve me klientët dhe të realizojnë me kohë pagesat duke mos shkaktuar zvarritje.”, shkroi Zemaj në Facebook.
Ministri Zemaj u shpreh se Ministria që ai drejton po punon me përkushtim për plotësimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore. Kurse sa i përket votimit në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbje, Zemaj shpreson që sa më parë të votohet edhe në lexim të dytë.
“Ministria e Shëndetësisë, po punon me dinamikë të shtuar për plotësimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore që sa më parë të jetësohet ky ligj për qytetarët tanë.Lajm i mirë sot, është miratuar në lexim të parë, Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Tash, presim të krijohen kushte më të mira edhe për përkushtimin tonë kundër virusit. Rimëkëmbja ekonomike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësi. Duke falënderuar deputetët për votim, uroj që edhe leximi i dytë i Projektligjit, të shqyrtohet dhe aprovohet sa më shpejtë!”, shkroi ai më tej./UBTNews