Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se personat që vijnë nga shtete me rrezik të lartë të infeksionit nuk mund të hyjnë në Kosovë pa testin PCR, ose në të kundërtën do të shkojnë në vetizolim për 7 deri në 14 ditë.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Shëndetësisë kemi vendosur masën se të gjitha shtetet të cilat janë potencial i shpërndarjes së infeksionit nuk mund të hyjnë shtetasit e tyre në Kosovë pa qenë të pajisur me testin PCR dhe nëse hyjnë duhet të shkojnë në vetizolim për 7 deri 14 ditë, sipas nevojës dhe vlerësimit”, deklaroi Zemaj.
Ai folur edhe për hapjen e kufirit me Maqedoninë e Veriut, teksa u shpreh se nesër në mbledhjen e qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të vendoset për kushtëzimin e testit PCR.
“Jemi në komunikim me homologun maqedonas, besoj që në mbledhjen e nesërme të tyre të Qeverisë do të largohet kushtëzimi i testit PCR”, deklaroi Zemaj./UBTNews