UBT News

Zemaj paralajmëron kufizim të lëvizjes nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se masat anti-COVID që janë në fuqi do të vazhdojnë, por nëse ka rritje të rasteve pozitive do ketë masa më rigoroze që nënkupton edhe kufizimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve tjera.

Këto komente Zemaj i bëri gjatë mbledhjes së Komitetit për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Ai tha se ditëve të fundit ka një trend të rritjes së rasteve pozitive në Kosovë, prandaj apeloi që masat që janë në fuqi të zbatohen.

“Masat në fuqi do vazhdojnë. Sot e kemi edhe reflektimin dhe vlerësimin javor do të shohim nëse do ketë nevojë tek zonat apo rrezikshmëria e komunave që janë në të kuqen të ketë vlerësim të masave apo edhe aktiviteteve për të parandaluar infeksionin bazuar gjithmonë në situatën epidemiologjike. Nëse kemi rrezikshmëri të rritjes së numrit të rasteve, atëherë masat do shkojnë më rigoroze, që do të ketë edhe përkufizim të lëvizjes dhe aktiviteteve tjera, qofshin institucionale apo edhe publike dhe private. Duhet të zbatohen në përpikëri vendimet e qeverisë me kontrollin rigoroz nga inspektoratet dhe policia duke bërë mbikëqyrjen strikte të zbatimit të masave parandaluese në çdo institucion të vendit, publik, privat, shkollor, fetar, degë të ekonomisë, gastronomisë, transport publik dhe taksi”, u shpreh Zemaj.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte deklaruar që vaksina anti-COVID, do të arrijë në shkurt në Kosovë, por kjo nuk ndodhi. Prandaj ai sot tha se ata që kanë pasur për detyrë t’i furnizojnë qytetarët e Kosovës me vaksina në shkurt e kanë shtyrë për muajin mars. Ai ka deklaruar se vaksina nuk do të marrin as nga Serbia dhe as nga Rusia, përkundër presionit që po bëhet.

“Ata që e kanë pasur për detyrë të na furnizojnë me vaksina shkurtin e bartën në mars, andaj më e rëndësishme tani se vaksina është parandalimi i përhapjes së virusit. Jemi të vetëdijshëm edhe për presionin e qytetarëve të vendit tonë për vaksinim edhe nga shtetet tjera sidomos të qytetarëve serb, por ne e kemi bërë të qartë dhe e kemi theksuar dhe ka qenë dhe mbetet zotim i yni nuk do të marrim vaksina nga shteti i Serbisë, por as nga Rusia, pavarësisht presionit që bëhen nga vendet tjera të rajonit”, theksoi ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani tha se në javët e fundit ka rritje të rasteve pozitive me COVID-19 për 26.8 përqind, si dhe ka trend të vazhdimit të rritjes së rasteve të infektuara. Ramadani tha se ka një rritje për 7.5 përqind dhe niveli i vdekshmërisë është rritur për 33 përqind.

Drejtori i IKSHP-së tha se varësisht nga situata epidemiologjike edhe do ofrohen rekomandimet nga ky Institut. Ai shtoi se janë në pritje të reagnsave me të cilët mund të bëjnë detektimin e të gjitha varianteve të reja të COVID-19.

“Numri i rasteve pozitive dhe të vdekjes nga COVID vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejt të neglizhimit të masave. Në muajin shkurt kemi shkuar me një sëmundshmëri prej 251 deri në 260 në 100 mijë banorë, që paraqet një rritje të sëmundshmërisë për 8.8 përqind. Duke pasur parasysh këtë rrezik dhe të panjohurat për shpërndarjen e shpejt të COVID-19, ne duhet patjetër të vazhdojmë masat me intensitet të shtuar praktikisht të ndërprerjes së aktiviteteve, të përkufizimit të tubimeve të zbatimit rigoroz të masave të kontrollit që paraqet një ndërgjegjësim edhe më të madh të individëve të institucioneve qofshin publike a private, qofshin të agjencioneve, shkollore, fetare, degëve të ekonomisë, gastronomisë, transporti publik dhe taksive. Nëse kemi situatën epidemiologjike të rënduar, ne prapë do të bëjmë rekomandimet të nivelet përkatës dhe proporcional me situatën epidemiologjike”, deklaroi Ramadani.

Se ka rritje edhe të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim e tha edhe drejtori i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi. Aktualisht ai tha se rreth 570 pacientë janë të shtrirë në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID.

Derisa tha se janë duke punuar në përmirësimin tutje të kapaciteteve spitalore, Krasniqi tha se me rritjen e pacientëve që po kërkojnë spitalizim pasi janë infektuar, por cenohen shërbimet tjera spitalore.

“Nga mesi i javës së kaluar ne vërejmë një tendencë në rritje të rasteve që kërkojnë spitalizim dhe dje dhe sot kemi 573 pacientë të shtrirë nëpër klinikat tona e që paraqesin një rritje prej 15 për qind të rasteve të spitalizuara, krahasuar me mestaren prej 500 që kishim muajve të kaluar. Si ShSKUK kemi ndërmarrë masa të cilat i kemi paraparë me planin e menaxhimit të pandemisë duke përmirësuar sistemin e furnizimit me oksigjen, duke riorganizuar stafin personelin shëndetësor, si dhe duke krijuar hapësira gjegjësisht duke destinuar klinika dhe shtretër të rinj për pacientët e prekur nga COVID. Ne duhet të jemi korrekt dhe të gjithë ta dimë që çdo rritje e numrit të rasteve të reja të infektuara që do të pasohet me rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë spitalizim do të kërkojë që të rriten shtretërit dhe këta shtretër nuk i kemi shtesë, por duhet t’i marrim nga shtretërit që janë të destinuar për sëmundjet tjera”, tha Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se kryetarët e komunave kanë kërkuar të vazhdohet me masat aktuale që janë në fuqi, pasi situata pandemike në nivelin lokal është e menaxhueshme.

Ibrahimi tha se kategorizimi i komunave sipas shifrave të të infektuarve është cilësuar si i suksesshëm nga kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës.

“Vlerësohet se situata në nivelin lokal është e menaxhueshme dhe kryetarët e komunave dhe komunat si të tilla kërkojnë që të vazhdohet me masat aktuale dhe mos të ketë ndryshim të masave. Keni pasur përkrahjen e të gjithë kryetarëve të komunave në takimet që kemi pasur online dhe kategorizimi i komunave në bazë të ngjyrave është treguar dhe është vlerësuar nga kryetarët e komunave si i suksesshëm, dhe kryetarët kërkojnë që të vazhdohen me të njëjtin kategorizim”, theksoi Ibrahimi.

Më i ashpër ishte drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri i cili tha se për shkak të fushatës së subjekteve politike ka shtim të rasteve me koronavirus në Kosovës. Ai si shqetësim shfaqi edhe largimin e inspektorëve nga pakoja emergjente.

“Mendoj se dëmi i shkaktuar nga ajo fushatë e turpshme nga bash secili subjekt politik ende nuk është duke u parë dhe përveç dëmit empirik nëse mund ta quaj në numra që mendoj që do të rriten në vazhdimësi në gjenezë me fushatë, është edhe dëmi në humbje të legjitimitetit që na është bërë neve si inspektorate dhe Policisë së Kosovës për të vepruar në terren. Tek kjo situatë kemi ardhur nga vetë ata që i kanë nxjerr ligjet dhe i kanë nxjerr vendimet kjo është hipokrizi. Për më keq kisha dashur me e ngritur si shqetësim në emër të të gjitha komunave që ministri e përcjell tek kryeministri në detyrë e që është largimi i inspektorëve edhe nivel qendror dhe lokal nga pakoja emergjente”, theksoi Tahiri.

Në këtë takim të Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, si dhe ata të Policisë së Kosovës.

Vetëm në 24 orët e fundit 568 raste kanë rezultuar pozitive, ndërsa janë raportuar katër raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. 

Exit mobile version