Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot spitalin e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Vushtrrisë, për të parë gjendjen dhe menaxhimin e situatës me COVID-19.
Zemaj u shpreh se stafi mjekësor i këtyre dy komunave po bën përpjekje maksimale për t’iu ofruar qytetarëve shërbimet e nevojshme, por edhe trajtimin e duhur.
“Me rritjen e testeve, rritet numri i të infektuarve dhe të hospitalizuarve. Kapacitetet tona shëndetësore nuk janë të pakufishme. Ngarkimi i sistemit është në dorë të qytetarëve. Të jemi bashkë në këtë betejë për shëndetin, secili prej nesh mund të bëjë kaq shumë, për të mos lejuar që të infektohet vetë dhe të infektojë të afërmit dhe të rëndohet gjendja në spitalet tona”, ishte apeli i Zemajt.
Ai u shpreh më tej se nevojat brenda spitaleve dhe klinikave janë të mëdha, andaj Ministria e Shëndetësisë është në përmbushje të kërkesave për staf, medikamente, material shpenzues dhe kushtet për përballimin e situatës./UBTNews