Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj paralajmëroi ashpërsim të masave nëse përkeqësohet situata me COVID-19.
Kështu deklaroi ai në takimin virtual informues me ambasadorët e shteteve dhe përfaqësuesit e organizatave donatore, SHBA-ja, Japonia, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Zvicra, Norvegjia, Jordania, Katari, Zyra e Bashkimit Evropian, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara (OBSh, UNICEF, UNDP, Banka Botërore).
Zemaj theksoi se menaxhimi i situatës epidemiologjike u vlerësua lartë nga partnerët.
“Menaxhimi i situatës epidemiologjike në Republikën e Kosovës u vlerësua lartë nga partnerët tanë dhe bashkë vazhdojmë tutje në pengimin dhe luftimin e virusit Covid 19.U dakorduam që masat e reja të cilat janë në fuqi nga sot duhet të zbatohen me rigorozitet, kujdesi duhet të jetë i shtuar nga të gjithë qytetarët tanë po ashtu edhe nga shtetasit e huaj, që jetojnë e veprojnë në vendin tonë.Masat e reja janë paraparë të jenë në fuqi dy javë, por, varësisht nga situata, mund të ashpërsohen në rast të përkeqësimit”, shkroi mes tjerash Zemaj në Facebook.
I pari i Shëndetësisë shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar gjatë kësaj periudhe.
“Deri më tani, kemi marrë ndihma financiare dhe pajisje mbrojtëse, kite për testim RT PCR, aparatura, ventilatorë, monitorë për pacientë, autoambulanca, shtretër, koncentrues të oksigjenit, medikamente si dhe gjëra të tjera të rëndësisë së veçantë.Në takim, në emër të Ministrisë, Qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreha falënderimin e thellë e të sinqertë për tërë përkrahjen e cila është pjesë e suksesit tonë në luftimin e virusit”, përfundoi ai./UBTNews