Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë vizitës në Klinikën e Pediatrisë, tha se janë duke punuar në ngritjen e kapaciteteve humane dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Zemaj në këtë vizitë u prit nga stafi i pediatrisë në krye me drejtoreshën Drita Qosaj, për të parë më në detaje gjendjen e kësaj klinike. Ai tha se priten të realizohen disa projekte gjatë vitit 2021, po ashtu edhe objekti i ri.
“Jemi duke punuar shumë për të avancuar shërbimin e studimeve për të rinjtë, duke bashkëpunuar me shtetet e rajonit dhe ballafaqimin dhe mësimin, sidomos me sëmundjet e rralla”, theksoi Zemaj.
E në anën tjetër, edhe infektologu dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha që ky repart ka punuar shumë sidomos gjatë kohës së pandemisë.
“Klinika e Pediatrisë ka punuar shumë gjatë pandemisë dhe nuk janë ndalur në asnjë moment”, tha Krasniqi.
Ai mes tjerash përgëzoi stafin e kësaj klinike, duke treguar që përkundër vështirësive kanë bërë një punë të madhe.
Drejtoresha e kësaj klinike, Drita Qosaj tha që stafi i saj ka punuar edhe kur kanë qenë të rrezikuar nga pandemia.
“Gati 2/3 e stafit të kësaj klinike janë ballafaquar me COVID-19 dhe prapë kanë dalë në front për t’u kujdesur për këta fëmijë”, përfundoi ajo.
Mes tjerash ajo tha se u është kushtuar një kujdes më i madh fëmijëve të prekur me COVID-19.
“Në klinikën tonë kemi trajtuar fëmijë me pandemi, fëmijë me sëmundje të ndryshme, por e kemi menaxhua në mënyrën më të mirë”, tha mes tjerash Qosaj.
I gjithë ky takim u përcoll me aktivitetin e ministrit për t’u shpërndarë disa dhurata fëmijëve të shtruar në pediatri.