Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë të mos e mbështesë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
“Sigurisht që do të votojmë kundër, derisa është kjo situatë që e ka sjellë Vetëvendosje, duke u sjellë sikur një parti që thuajse e ka fituar e vetme vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Zemaj para seancës konstituive të Kuvendit.
Ai theksoi se për momentin nuk ekziston asnjë emër nga VV që do të mund të merrte përkrahjen e LDK-së, duke përjashtuar mundësinë e një kandidati konsensual.
“Nuk mund të ketë kandidat konsensual derisa arroganca dhe mënyra si bëhen politikat, si tenton kapjen e institucioneve, edhe konsensusi për ndonjë emër të përveçëm është i pamundur në këtë situatë”, përfundoi Zemaj.