Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave. Ai paralajmëroi se do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale që të dalin në pah, siç tha ai, të gjitha keqpërdorimet e abuzimet. Megjjithatë Zemaj u shpreh se këto po tentohen të fshihen nga pushteti.
Në seancë plenare, ai shtoi se në spitalet e Kosovës çdo ditë e më tepër ka mungesë të barnave.
“Ka qenë dhe mbetet shumë zhgënjyese dhe shqetësuese kur po kuptojmë çdo ditë që në spitalet tona ka barna më pak se çdo herë. E sot na duhet të ndalemi dhe të pyesim, ashtu siç pyetëm paraprakisht para disa ditëve ‘Pse po ndodh kjo, pse ka barna më pak’. A ka mundësi të përgjigjen ata të cilët janë përgjegjës në këtë pyetje, apo ne duhet ta gjejmë faktin tek keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet të cilat janë të barabarta me hajni dhe abuzime me çmime të barnave”, deklaroi Zemaj.
Ai shtoi se ka kërkuar analizimin dhe mbikëqyrjen e listës esenciale të barnave, për çka tha se pushteti nuk e ka pranuar.
“Qytetarët dhe pacientët duhet ta dinë se kush janë hartuesit e listës esenciale. Cilët individë apo grupe brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë lobuar dhe kanë punuar në këtë listë dhe në favor të cilës kompani. Cilat janë përfitimet ekstreme brenda vitit të këtyre kompanive dhe këtyre individëve? Kush i kontrollon ata e kush qëndron prapa tyre. Këto dhe shumë pyetje të tjera do i adresojmë në rrugë institucionale dhe ta dini ju dhe të tjerët se nuk do të lejojmë që kjo të fshihet. Ani pse po tentohet të fshihet me gjithë fuqinë që kanë, por këtu do të dështoni. Është duke na dëgjuar edhe prokuroria, pacienti edhe qytetari i Republikës së Kosovës”, shtoi ai.