UBT News

Zelenskyy dhe Macron diskutojnë për vendosjen e trupave franceze në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, për mundësinë e vendosjes së trupave perëndimore në Ukrainë si pjesë e masave për të garantuar zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Zelenskyy tha se ndër garancitë e sigurisë të nevojshme për zbatimin e paqes, ishte diskutuar edhe propozimi francez për dërgimin e kontingjenteve ushtarake në Ukrainë. “Kemi shqyrtuar hapat praktik për zbatimin e kësaj iniciative, zgjerimin e saj të mundshëm dhe përfshirjen e vendeve të tjera në këtë proces”, u shpreh ai.

Sipas SkyNews, një nga opsionet e shqyrtuara përfshin dislokimin e ushtarëve perëndimorë përgjatë një linje të mundshme armëpushimi. Megjithatë, kjo qasje është cilësuar si e rrezikshme, duke pasur parasysh qëndrimin e ashpër të Rusisë kundër pranisë së trupave të NATO-s ose vendeve anëtare afër kufijve të saj. Diskutimet vijnë në një kohë kur janë intensifikuar përpjekjet diplomatike për të siguruar një zgjidhje paqësore të konfliktit./UBTNews/

Exit mobile version