Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nëse nuk shpallet zona e ndalim-fluturimit për të mbrojtur Ukrainën, komuniteti ndërkombëtar do të jetë përgjegjës për katastrofë të madhe humanitare.
Zelensky ka thënë më 9 mars se Rusia ka rritur shkallën e sulmeve në ditën e 14-të të luftës dhe se bota nuk mund të rri duarkryq.
“Rusia përdor raketa, aeroplanë dhe helikopterë kundër nesh, kundër civilëve, kundër qyteteve tona, kundër infrastrukturës tonë. Është detyrë humanitare e botës që të përgjigjet”, ka thënë ai.
NATO-ja ka hedhur poshtë mundësinë e zbatimit të ndalim-fluturimit për shkak të shqetësimeve të përballjes së drejtpërdrejtë me Rusinë.
Zelensky u ka bërë thirrje fuqive të Perëndimit që menjëherë të zgjidhin ofertën polake, e cila do t’i mundësonte shtetit të tij të furnizohej me aeroplanë luftarakë rusë MiG-29 – një lloj i aeroplanit luftarak që pilotët ukrainas dinë si ta përdorin.
Më 8 mars, Uashingtoni ka hedhur poshtë idenë e Polonisë për t’ia dorëzuar SHBA-së aeroplanët rusë në bazën ajrore amerikane në Gjermani.
Uashingtoni ka thënë se një veprim i tillë mund të përshkallëzojë konfliktin.
“Kur do të merret vendimi? Dëgjoni: Ne jemi në luftë! Ne nuk kemi kohë për këto shenja. Ky nuk është pingpong. Këto janë jetë njerëzish. Ne po bëjmë thirrje sërish: Zgjidheni shpejt. Mos u largoni nga përgjegjësia, na dërgoni aeroplanët”, ka thënë Zelensky.
I pyetur si e sheh Moska ofertën polake, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se kjo do të krijonte “një skenar potencialisht të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm”./REL