UBT News

Zelensky viziton Finlandën, përsërit thirrjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Finlandë, ku pati dhe një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin finlandez, Alexander Stubb. Gjatë fjalës së tij, Zelensky ka theksuar përsëri angazhimin e tij të fortë për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Zelensky ka vlerësuar pranimin e Finlandës në NATO si një “vendim të drejtë dhe të domosdoshëm”, duke theksuar se ky hap mishëron një gatishmëri për të punuar së bashku për mbrojtjen e sigurisë kolektive. Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të përforconte më tej aleancën, duke sjellë një forcë shtesë në luftën moderne kundër kërcënimeve ushtarake.

Në deklaratën e tij, Zelensky shprehu shqetësimin se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të jetë një proces i vështirë, duke përmendur reagimet e disa shteteve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Muajin e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, minimizoi mundësinë e pranimit të Ukrainës në NATO. Po ashtu, presidenti rus, Vladimir Putin, përjashtoi kategorikisht mundësinë e një marrëveshje paqeje që do të lejonte anëtarësimin e Ukrainës në këtë aleancë.

Gjatë konferencës për shtyp, Zelensky theksoi se Ukraina dhe Finlanda i gjenden pranë njëra-tjetrës, kjo dhe nga përvoja e përbashkët e jetesës pranë kufijve të Rusisë.

Të dy vendet janë të vetëdijshëm për sfidat që sjell agresioni rus”- tha Zelensky.

Ai bëri thirrje për një presion të përbashkët ndaj Moskës si një parakusht për arritjen e paqes dhe për një unitet të fortë të mbrojtjes në të gjithë Evropën.

Fjalët e Putinit janë shumë të ndryshme nga realiteti”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, presidenti finlandez, Alexander Stubb, mbështeti qëndrimin e Zelenskyt, duke theksuar se Ukraina ka të drejtën e pamohueshme për të mbrojtur veten kundër agresionit rus. Stubb theksoi gjithashtu se kjo e drejtë nuk mund të kufizohet nën asnjë rrethanë. “Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë paqe, por Rusia duhet të tregojë nëse po e kërkon atë”, ka thënë ai.

Në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, Stubb shprehu mbështetjen për përpjekjet diplomatike, duke përmendur bisedën e fundit telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ai e cilësoi këtë bisedë si “një hap në drejtimin e duhur”, duke e përshëndetur qëndrimin e Trump-it për të ndaluar dhunën dhe vrasjet përmes armëpushimit.

Exit mobile version