Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se evakuimi i luftëtarëve nga Azovstal në territorin e kontrolluar nga separatistët ua shpëtoi jetën.
Më shumë se 260 luftëtarë ukrainas, përfshirë edhe disa që janë plagosur rëndë, u evakuuan të hënën nga një fabrikë çeliku në qytetin e rrënuar të Mariupol dhe u dërguan në zonat nën kontrollin e Rusisë, sipas një ushtari ukrainas.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar tha se 53 luftëtarë të plagosur rëndë u dërguan në një spital në Novoazovsk, në lindje të Mariupolit. 211 luftëtarë të tjerë u evakuuan në Olenivka përmes një korridori humanitar.
Maliar tha se do të punohet për kthimin e tyre në shtëpi. Ajo tha gjithashtu se misionet janë duke u zhvilluar për të shpëtuar luftëtarët e mbetur brenda uzinës, bastioni i fundit i rezistencës në qytetin port jugor të rrënuar të Mariupol.
“Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas që të jenë gjallë. Ky është parimi ynë. Ushtria dhe inteligjenca jonë kanë filluar operacionin për të shpëtuar mbrojtësit e Mariupolit. Puna vazhdon për t’i sjellë djemtë në shtëpi dhe kërkon delikatesë dhe kohë”, tha Zelensky në një fjalim mbrëmë vonë./UBTNews/