Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të premten se vendi i tij është gati të fillojë dërgesat e grurit nga portet e Detit të Zi dhe po pret një sinjal nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia për të nisur dërgesat.
Zyra e Zelensky tha se presidenti kishte vizituar portin e Detit të Zi të Chornomorsk, i cili është bllokuar nga Rusia, për të parë përgatitjet për dërgesat sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja e nënshkruar në Turqi javën e kaluar.
“Pala jonë është plotësisht e përgatitur. Ne i dërguam të gjitha sinjalet partnerëve tanë – OKB-së dhe Turqisë, dhe ushtria jonë garanton situatën e sigurisë. Ministri i infrastrukturës është në kontakt të drejtpërdrejtë me palën turke dhe OKB-në. Ne presim një sinjal prej tyre se mund të fillojmë“, tha ai. /UBTNews/