Ukraina ka filluar të eksportojë energji elektrike në Bashkimin Evropian, përmes Rumanisë, tha presidenti Volodymyr Zelensky, pasi Rusia redukton furnizimet me gaz për bllokun që po mbështet Kievin në rezistencën ndaj pushtimit të Moskës.
Disa vende evropiane, duke përfshirë Italinë dhe Gjermaninë, janë shumë të varura nga gazi rus për nevojat e tyre energjetike, por janë detyruar të kërkojnë alternativa pasi Moska ul dërgesat.
Duke folur të enjten, Zelensky tha se Ukraina kishte nisur një eksport të konsiderueshëm të energjisë elektrike në territorin e BE-së, përmes Rumanisë.
“Kjo është vetëm faza e parë. Ne jemi duke u përgatitur për të rritur furnizimin. Nuk është vetëm një çështje e të ardhurave nga eksporti për ne, është një çështje sigurie për të gjithë Evropën“, tha Zelensky.
Ai tha se një pjesë e konsiderueshme e gazit rus të konsumuar nga europianët mund të zëvendësohet.
Rrjeti ukrainas i energjisë elektrike u lidh me rrjetin evropian në mes të marsit, duke ndihmuar në mbajtjen e furnizimeve të rrjedhshme pavarësisht luftës.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shkroi në Twitter se eksportet e Ukrainës do të ofrojnë një burim shtesë të energjisë elektrike për BE-në. Dhe të ardhura shumë të nevojshme për Ukrainën.
“Kështu që të dy shtetet përfitojmë”, tha ajo.
BE-ja ka mbështetur fuqishëm Ukrainën pas pushtimit rus të shkurtit, duke goditur Moskën me një breshëri sanksionesh dhe duke i dhënë Kievit statusin e kandidatit, një hap i parë drejt anëtarësimit në bllok. /UBTNews/