Ukraina po humbet 60 deri në 100 ushtarë çdo ditë, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për Newsmax në një intervistë të transmetuar të martën.
“Situata në lindje [të Ukrainës] është shumë e vështirë. Ne po humbasim 60 deri në 100 ushtarë çdo ditë dhe kemi rreth 500 të plagosur në luftime”, tha Zelensky, përcjell UBT News.
Presidenti tha gjithashtu për Newsmax se dërgesat e grurit po bllokohen nga Rusia në Detin e Zi.
“Aktualisht, 22.5 milionë tonë drithë janë bllokuar nga Rusia”, tha Zelensky. “Për ta zhbllokuar këtë territor me dalje në det, me dalje në ujë, duhet të luftojmë dhe duhet të kemi armë me rreze efektive deri në 120-140 kilometra”.
Më herët të martën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi për një pako të re të sistemeve raketore që do të dërgohen në Ukrainë. Zyrtarë të lartë të administratës thanë se sistemet në fjalë do të kenë aftësinë për të lëshuar raketa deri në 80 kilometra, shumë më pak se armatimet me rreze të gjatë që ka kërkuar Zelensky, por shumë më e madhe se çdo gjë që është dërguar në Ukrainë deri më sot.
Në intervistën me Newsmax, Zelensky ishte i bindur se raketat do të përdoreshin në Ukrainë – jo në tokën ruse.
“Unë e di që disa nga njerëzit në Shtetet e Bashkuara po thonë, ose njerëzit në Shtëpinë e Bardhë thonë, ne [ukrainasit] mund t’i përdorim ato për të sulmuar Rusinë: Shiko, ne nuk po planifikojmë të sulmojmë Rusinë. Ne nuk jemi të interesuar për Federatën Ruse. Ne nuk po luftojmë në territorin e tyre”, tha Zelensky.
“Ne kemi luftën në territorin tonë. Ata erdhën në vendin tonë. Ne duam të zhbllokojmë qytetet tona. Për këtë kemi nevojë për municion që mund të arrijë deri në 100 kilometra”./UBTNews/