Pas sulmeve që ndodhën në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë atë në Zaporizhzhia të Ukrainës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga bota.
Nëpërmjet një videoje, Zelensky tha se “Centralja më e madhe bërthamore në Evropë është në zjarr tani”.
Ai akuzoi rusët se qëllimisht qëlluan në gjashtë reaktorët e uzinës Zaporizhzhia duke përdorur tanke të pajisur me imazhe termike, shkruan BBC.
Presidenti ukrainas paralajmëroi se pasojat e shpërthimit të këtij termocentrali do të ishin shumë më të këqija se a jo e Çernobilit në 1986.
“Evropianë, zgjohuni ju lutem. Thuajuni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, u lut ai.
Zelensky tha se ai kishte qenë në kontakt me liderët nga SHBA, Britania e Madhe, BE, Gjermania dhe Polonia, si dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, por u bëri thirrje qytetarëve të zakonshëm që të ngrenë alarmin edhe me politikanët e tyre.
“Propaganda ruse ka paralajmëruar në të kaluarën se do të mbulonte botën me hirin bërthamor. Tani ky nuk është vetëm një paralajmërim, por është real”, tha ai.