Të paktën 41 persona janë vrarë dhe më shumë se 180 janë plagosur në një sulm raketor rus në qytetin qendror të Ukrainës, Poltava, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.
‘’Dy raketa balistike shënjestruan një institucion arsimor dhe një spital aty pranë në zonë’’, tha Zelensky.
Sipas presidentit u shkatërrua një ndërtesë e Institutit të Telekomunikacionit.“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjithëve në botë që kanë fuqinë për të ndaluar këtë terror: Ukraina ka nevojë për sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore tani, jo në magazinë”, tha Zelensky.
Imazhet e paverifikuara që qarkulluan në mediat sociale treguan trupa të pajetë të shtrirë përpara një ndërtese shumëkatëshe të dëmtuar rëndë. Sipas ministrit të Brendshëm, Ihor Klymenko, të paktën 25 persona u shpëtuan nga rrënojat.
Në zonën fqinje të banimit janë shkatërruar xhamat dhe janë dëmtuar fasadat nga vala e shpërthimit. Ukraina është përballur me një pushtim të plotë rus për më shumë se dy vjet, duke u mbështetur shumë në armët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të furnizuara nga partnerët perëndimorë.
Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të tij pothuajse çdo ditë që të rrisin dërgesat për të lejuar Ukrainën të mbrojë më mirë qytetet ukrainase kundër sulmeve ajrore./UBTNews/