Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mirëpriti paketën e 18-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë duke e quajtur atë “një vendim thelbësor dhe në kohë, veçanërisht tani që Rusia ka përshkallëzuar brutalitetin e sulmeve të saj ndaj qyteteve dhe fshatrave tona”.
“Do të doja të shprehja mirënjohjen time për presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së për unitetin dhe qëndrimin e tyre parimor”, shkroi ai në X.
Zelensky falënderoi gjithashtu presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe “Danimarkën për një fillim vërtet pozitiv të presidencës së saj të BE-së”.
Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një paketë të 18-të sanksionesh që synon Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës, thanë sot disa diplomatë.
Paketa e sanksioneve synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë dhe vjen në përgjigje të refuzimit të presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim pa kushte në Ukrainë.
Sllovakia e kishte bllokuar paketën, duke përmendur shqetësime në lidhje me importet e saj të gazit. Dje, kryeministri Robert Fico tha se kishte udhëzuar përfaqësuesit e Sllovakisë të miratonin masat.
Sllovakia, e cila më parë kishte bllokuar miratimin e kësaj pakete të re sanksionesh, e 18-ta që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, më në fund pranoi të hiqte veton e saj pasi mori garanci./atsh