Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje të dielën që presidenti amerikan Joe Biden, të vizitojë vendin e tij dhe tha se beson se ai do ta bëjë këtë udhëtim.
Udhëheqësi i kohës së luftës tha gjithashtu se qeveria e tij kishte ‘prova thelbësore’ se trupat ruse po kryejnë gjenocid në Ukrainë, pasi gjithnjë e më shumë liderë perëndimorë akuzojnë udhëheqësin autokrat të Moskës, Vladimir Putin për krime lufte.
Zelensky u pyet nga prezantuesi i CNN State of the Union, Jake Tapper nëse ka ‘ndonjë plan’ që Biden të vijë të shohë vetë situatën.
“Unë mendoj se ai do të vijë”, u përgjigj presidenti ukrainas.
“Është vendim i tij sigurisht, dhe në lidhje me situatën e sigurisë. Por unë mendoj se ai është lideri i Shteteve të Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të vijë këtu për të parë situatën”, tha më tej Zelensky.
Në fund të javës së kaluar, Biden konfirmoi se administrata e tij po diskutonte një udhëtim të mundshëm në Kiev nga një zyrtar i lartë dhe se “po e merrte atë vendim tani”. Ai u tha gazetarëve se donte të shkonte vetë, transmeton Klankosova.tv.