Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shprehu kënaqësinë e tij për shpërbërjen e gjykatës në Kiev dhe tha se Ukraina mund të luftojë njëkohësisht kundër korrupsionit dhe agresionit rus.
“Kjo histori ka marrë fund”, tha Zelensky vonë të martën dhe vuri në dukje se ai kishte nënshkruar një ligj që shpërndante Gjykatën Administrative të Qarkut në Kiev.
Bëhet fjalë për një institucion që autoritetet ukrainase kundër korrupsionit e krahasuan me një organizatë kriminale dhe SHBA vendosi sanksione ndaj presidentit të saj më 9 dhjetor.
“Historia e reformave vazhdon, ajo vazhdon edhe në kohë të një lufte të tillë”, tha ai në fjalimin e tij.
Ai nënshkroi ligjin në të njëjtën ditë kur u miratua nga parlamenti ukrainas.
Kryetari i Gjykatës, Pavlo Vovk, në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi për shfuqizimin e gjykatës është thjesht politik dhe i marrë me nxitim dhe se “ata që e duartrokasin sot do të pendohen së shpejti”.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Vovk “për kërkimin e ryshfetit në këmbim të ndërhyrjes në proceset gjyqësore dhe të tjera publike”.
Çështja e korrupsionit kundër Vovk u dërgua në gjykatën më të lartë të Ukrainës kundër korrupsionit këtë verë, pasi çështjet kundër tij u bllokuan për vite me radhë.