Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se më shumë se 41 vendbanime në Ukrainën jugore janë çliruar pas vendimit rus për t’u tërhequr në anën lindore të lumit Dnipro.
“Sot kemi një lajm të mirë nga jugu – numri i flamujve ukrainas që kthehen në vendin e tyre të merituar në kuadër të operacionit të mbrojtjes në vazhdim tashmë ka arritur në dhjetëra. Dyzet e një vendbanime janë çliruar”, tha Zelensky.
Ai shtoi, “Gjithçka që po ndodh tani është arritur me muaj lufte të ashpër, është arritur me guxim, dhimbje dhe humbje. Nuk është armiku që po largohet. Janë ukrainasit ata që po dëbojnë pushtuesit me kosto të madhe”.
Zelensky tha se njësitë e policisë ishin zhvendosur në disa vendbanime në Kherson, por çlirimi i territorit ukrainas ishte vetëm hapi i parë në një proces të gjatë.
“Gjëja e parë dhe themelore është çminimi. Pushtuesit lënë pas mijëra mina dhe municione të pashpërthyera. Kam dëgjuar shpesh vlerësime se pastrimi i Ukrainës nga minat ruse do të marrë dekada. Nuk mund të presim kaq gjatë”, tha presidenti ukrainas.
“Pushtuesit minojnë gjithçka: linjat e energjisë elektrike, ndërmarrjet e biznesit, fushat, pyjet”, tha ai.
“Në kulmin e kontaminimit nga minat në Ukrainë, ne kishim 300,000 kilometra katrorë territor kërcënues për jetën”.
Tani, tha ai, “kanë mbetur rreth 170,000 kilometra katrorë për çminim. Në veçanti, kjo është në vendet më të vështira – ku luftimet janë ende në vazhdim, ku armiku do të shtojë më shumë mina para tërheqjes së tij, siç është tani në Kherson”.
Zelensky falënderoi dhjetëra vende që ndihmojnë në çminimin. Ai aludoi gjithashtu për qëllimet e Ukrainës në konflikt.
“Duhet të shkojmë deri në fund – në fushën e betejës dhe në diplomaci – në mënyrë që flamujt tanë, flamujt ukrainas dhe kurrë më asnjë tringjyrësh armik të mos jetë në tokën tonë, brenda kufirit tonë të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai./UBTNews/