Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha sot në konferencën e donatorëve për Ukrainën se lufta në atë vend po zgjidhet jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në sferën e ekonomisë, ndihmës humanitare dhe organizimit të jetës normale për qytetarët ukrainas.
“Liria duhet të tregojë se i shërben njerëzve më mirë se tiranisë. Kështu fiton liria dhe kjo është arsyeja pse kjo konferencë është e rëndësishme”, tha Zelensky në një video-fjalim në një tubim të organizuar nga Polonia dhe Suedia.
Ai vuri në dukje se Ukraina, Evropa dhe e gjithë bota ishin në rrugën drejt fitores në takimin ku morën pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përsëriti se Ukraina duhet të marrë statusin e kandidatit me procedurë të shpejtë, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri ukrainas, Denis Schmihal, i pranishëm në Barava, tha se Ukrainës i duhen katër gjëra për të fituar – armë, sanksione, fonde dhe një perspektivë evropiane.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki e quajti sulmin rus ndaj Ukrainës një luftë gjenocidale dhe theksoi se do të bëhet gjithçka për të ndaluar Rusinë dhe për të siguruar fitoren e Ukrainës.
Ai tha se Ukraina ka nevojë për 12 mijë ton ndihma humanitare në ditë, dhe aktualisht merr vetëm tre mijë, kjo është arsyeja pse konferenca të tilla donatore janë të nevojshme.
Muajin e kaluar, Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve në Varshavë përfundoi fushatën globale “Ngrihuni për Ukrainën”, e cila mblodhi 9.1 miliardë euro për të ndihmuar popullin ukrainas, ndërsa Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi se do të ndajë një miliard euro shtesë për personat e zhvendosur.