Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e lavdëroi popullin ukrainas për luftën për “liri” në një fjalim të mbajtur më 24 gusht për ta shënuar Ditën e Pavarësisë së vendit, që për herë të dytë po festohet përderisa në disa zona të Ukrainës vazhdojnë luftime të ashpra kundër pushtimit rus.
“Sot ne festojmë 32-vjetorin e pavarësisë sonë – pavarësinë e Ukrainës. Një festë e njerëzve të lirë”, tha Zelensky, në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale.
Liria “është një vlerë për secilin prej nesh dhe ne po luftojmë për të”, tha Zelensky, në një kohë kur lufta në Ukrainë po hyn në muajin e saj të 19-të.
Shefi i inteligjencës ushtarake të vendit, Kyrylo Budanov, tha në platformën Telegram se lufta për pavarësi “vazhdon edhe sot e kësaj dite – tani me agresorin perandorak”, duke iu referuar Rusisë.
Shefi i shërbimit të sigurisë së Kievit, Vasyl Maliuk, shkroi gjithashtu në Telegram se festa ka marrë tani “kuptime të reja” shkaku i luftës me Rusinë.
“Ajo u bë jo vetëm personifikimi i së drejtës sonë për jetë dhe liri, por edhe një simbol i heroizmit dhe trimërisë”, tha Maliuk.
Një seri ngjarjesh janë planifikuar në të gjithë Ukrainën për ta shënuar këtë ditë. Në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës organizoi pritje zyrtare për gazetarët ukrainas që janë zhvendosur në Kosovë pas fillimit të luftës në Ukrainës, përmes programit “Journalists in Residence – Kosovo” – të iniciuar nga dy organizata evropiane të gazetarëve dhe të mbështetur financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Në Bruksel, ndërtesat e qeverisë së BE-së u ndriçuan me ngjyrat e flamurit të Ukrainës gjatë natës dhe flamujt ukrainas u ngritën përkrah atyre të BE-së.
Shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, përgëzoi ukrainasit për “guximin, forcën dhe shpresën e tyre të qëndrueshme në një të ardhme paqeje dhe prosperiteti në një Evropë të bashkuar”.
“Ata janë një frymëzim për të gjithë evropianët”, tha ajo në rrjete sociale./REL