UBT News

Zelensky kritikon Macronin pas deklaratave se “ne nuk do të poshtërojmë Rusinë”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se ai “nuk mund të shohë parakushtet për t’i dhënë fund luftës”.

Në një intervistë me Financial Times, Zelensky tha se ndërsa “çdo luftë duhet të përfundojë në tryezën e bisedimeve”, pozicioni për “fitoren duhet të arrihet në fushën e betejës”.

Ai pranoi se “rivendosja e kufijve që ne [Ukraina] kontrolluam para 24 shkurtit” – mund të konsiderohet një “fitore serioze e përkohshme”. Por ai këmbënguli se ishte një “luftë për pavarësi”.

“Pavarësia për mendimin tim, dhe për mendimin e shumicës së popullit tonë, është rifitimi i të gjitha territoreve tona, rivendosja e të gjithë integritetit tonë territorial dhe sovranitetit të pacenueshëm të Ukrainës”, tha Zelensky.

“Ne kemi humbur shumë njerëz tashmë për ta dorëzuar kaq thjesht territorin tonë”, tha ai.

Ai pati kritika të ashpra veçanërisht për presidentin francez, Emmanuel Macron lidhur me komentet e fundit që ai bëri se “ne nuk do ta poshtërojmë Rusinë”.

“Disa njerëz duan të jenë udhëheqës. Për të qenë një lider, nuk duhet ta konsideroni veten të tillë, por të silleni si lider”, tha Zelensky. “Si mund të arrijmë një armëpushim në territorin e Ukrainës pa dëgjuar pozicionin e vendit dhe pa dëgjuar pozicionin e liderit të këtij vendi? Kjo është shumë, shumë befasuese”.

Në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin më 28 maj, liderët e Francës dhe Gjermanisë “ripërtëriën kërkesën e tyre për një armëpushim” dhe i bënë thirrje Putinit që të kishte një shkëmbim të drejtpërdrejtë me Zelenskyn.

Në një intervistë të botuar të shtunën, presidenti francez tha: “Ne nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë, në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalojnë, të mund të ndërtojmë një platformë daljeje me mjete diplomatike. Jam i bindur se roli i Francës është të jetë një fuqi ndërmjetëse”.

“Ne nuk do të poshtërojmë askënd”, tha Zelensky. “Ne do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”.

Zelensky tha se ishte i përgatitur për negociata me Rusinë, por se i vetmi person i aftë për të diskutuar një fund të luftës ishte vetë Putini.

Ai tha gjithashtu se bllokada ruse e porteve, e cila po pengon eksportet e grurit, “është një kërcënim me përmasa globale”./UBTNews/

Exit mobile version