UBT News

Zelensky kërkon unitet global kundër Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje liderëve botërorë të shfaqin unitet përballë agresionit të vazhdueshëm në Ukrainë. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai tha se Moska po i përdor ushqimin dhe energjinë si armë.

Duke folur nga selia e OKB-së në New York për herë të parë që nga shpërthimi i konfliktit, Zelensky e portretizoi pushtimin rus të Ukrainës si një kërcënim ekzistencial për rendin global të ngjashëm me armët bërthamore.

Pushtimi rus i Ukrainës ka ngjallur reagim në mbarë botën. Në një fjalim i cili u përqendrua shumë në rrezikun që Rusia paraqet për botën, ai tha se sfidat e tjera të përbashkëta, si ndryshimi i klimës, mund të trajtohen siç duhet vetëm pasi Moska të jetë tërhequr prapa.

“Derisa Rusia po e shtyn botën drejt luftës përfundimtare, Ukraina po bën gjithçka për t’u siguruar që pas agresionit rus askush në botë nuk do të guxojë të sulmojë asnjë komb”, u tha Zelensky liderëve botërorë.

Ai gjithashtu shtoi se Rusia nuk ka asnjë të drejtë për të mbajtur armë bërthamore./UBTNews/

Exit mobile version