UBT News

Zelensky kërkon themelimin e një tribunali special për krimet e agresionit rus

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të mërkurën kërkoi themelimin e një ‘tribunali special’ për të ndjekur liderët politikë dhe ushtarakë rusë për rolin e tyre në agresionin në Ukrainë.

“Duhet t’i sjellim para drejtësisë ata të cilët vendosën që ta fillojnë gjithë këtë. Ata që kryen krimet në të cilat shihet gjithë ligësia e pushtuesve rusë. Ne ende nuk kemi bazë të tillë institucionale për të mbajtur lidershipin politik dhe ushtarak rus përgjegjës për krimin e agresionit”, tha Zelensky në një konferencë në Paris, raporton CNN.

Ai lavdëroi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për hetimet ndaj krimeve të pretenduara të kryera nga ushtarët rusë në territorin e Ukrainës.

“Duhet të themelohet një tribunal special për krimet e agresionit rus në Ukrainë, në mënyrë që të dënohen ata që fatkeqësisht nuk mund të kapen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe institucionet tjera gjyqësore në botë. Të gjithë e dini se si lidershipi i Rusisë, i cili fshihet pas tregimeve false për sovranitetin e shtetit, eviton përgjegjësinë për atë çfarë ka bërë. Dhe ne duhet ta tejkalojmë këtë”, tha Zelensky.

Exit mobile version