UBT News

Zelensky kërkon një fund diplomatik të luftës me Rusinë

Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje të hënën për një zgjidhje diplomatike të luftës me Rusinë në Ukrainë. Ai gjithashtu foli për mundësinë që trupat e huaja të dërgohen në vendin e tij derisa Ukraina të mund të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s.

Presidenti Zelensky i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me udhëheqësin e opozitës gjermane Friedrich Merz. Komentet sinjalizuan gatishmërinë në rritje të Kievit për negociata, ndërsa pritet rikthimi i zotit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Presidenti i zgjedhur amerikan, i cili ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës shpejt, bëri thirrje të dielën për një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata për t’i dhënë fund “çmendurisë”, pasi takoi Presidentin Zelensky dhe Presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime në Paris.

Ukraina dëshiron që kjo luftë të përfundojë më shumë se kushdo tjetër. Pa dyshim, një zgjidhje diplomatike do të shpëtonte më shumë jetë. Ne e kërkojmë atë”, u tha Presidenti Zelensky gazetarëve në Kiev, të hënën.

Ai tha se diskutoi një “ngrirje” të vijave të tanishme në fushën e betejës gjatë takimit me Presidentin Macron dhe zotin Trump. Rusia kontrollon gati një të pestën e territorit ukrainas. Agresioni rus filloi në shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti Zelensky njoftoi se u tha të dy udhëheqësve se nuk besonte se Presidenti rus Putin donte t’i jepte fund luftës dhe se udhëheqësi rus do të duhej të detyrohej për këtë.

Mund të tregoni fuqi vetëm nëse Ukraina është e fuqishme. Një Ukrainë e fortë përpara çdo përpjekje diplomatike do të thotë një Ukrainë e fortë në fushën e betejës”, tha ai, duke nënkuptuar se Kievi kishte nevojë për ndihmë për t’u bërë më i fortë.

Ai mori mbështetje nga udhëheqësi opozitar gjerman Merz, kandidati që vlerësohet si fitues i mundshëm i garës së ardhshme zgjedhore për postin e kancelarit. Zoti Merz tha se politika aktuale e Berlinit e detyron Ukrainën të luftojë me një dorë të lidhur pas shpine.

 

Exit mobile version