Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit po përballet me një pushtim të paprovokuar nga Rusia fqinje, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin e menjëhershëm, me procedurë të veçantë.
“Qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi të barabartë. Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se e meritojmë”, tha Zelensky në një video-fjalim të shpërndarë në mediat sociale.
“Evropianët janë dëshmitarë se si ushtarët tanë po luftojnë jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë Evropën, për paqen, për paqen për të gjithë, për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, tha ai.
“Ukrainasit i kanë treguar botës se kush jemi ne, ndërsa Rusia ka treguar se në çfarë është shndërruar… Çdo krim, çdo granatim nga pushtuesi vetëm na bashkon më shumë”, shtoi Zelensky.
Ai u bëri thirrje edhe ushtarëve pushtues rusë që t’i dorëzojnë armët.
“Braktisni pajisjet tuaja! Largohuni nga këtu! Mos u besoni komandantëve tuaj! Mos u besoni propaganduesve tuaj! Thjesht, shpëtoni jetën tuaj”, tha Zelensky./REL