Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë sot në Dubrovnik të Kroacisë për të marrë pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, i organizuar nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç. Ky samit mbledh zyrtarë të lartë nga 12 vende të rajonit, përfshirë tre presidentë, pesë kryeministra dhe katër ministra të Jashtëm, në një përpjekje për të forcuar solidaritetin dhe mbështetje për Ukrainën në kontekstin e agresionit rus.
Ky është samiti i tretë në këtë format, pas atij të mbajtur në Athinë në vitin 2022 dhe në Tiranë në shkurtin e kaluar. Qëllimi i këtij takimi është të shprehë mbështetje të fortë për Ukrainën dhe të diskutojë mënyrat e bashkëpunimit midis vendeve të Evropës Juglindore.
Në përfundim të punimeve, pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët, në përputhje me ato të samiteve të kaluara. Pikat kryesore të kësaj deklarate do të përfshijnë dënimin e agresionit rus, mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, si dhe mbështetje për planin e paqes të presidentit Zelensky.
Gjithashtu, diskutime do të zhvillohen mbi integrimin evropian të Ukrainës dhe aspiratat për anëtarësimin në NATO, me kusht që situata ndërkombëtare dhe e brendshme të lejojnë këtë proces.
Ky samit thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe angazhimin e vendeve të Evropës Juglindore për të qëndruar të bashkuar në mbështetje të Ukrainës në këto kohë sfiduese./UBTNews/