UBT News

Zelensky i gatshëm të takohet me Trumpin dhe Putinin në Budapest

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të shkojë në Budapest për të diskutuar për paqe, ndonëse ka shprehur dyshime rreth gatishmërisë së presidentit rus, Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës.

“Nuk jam i sigurt që Putini është gati t’i japë fund luftës. Mendoj se ai dëshiron ta vazhdojë agresionin.”, ka thënë Zelensky në një intervistë për NBC.

Presidenti ukrainas ka thënë se beson që Putini preferon shtyrjen e negociatave të vërteta për paqe dhe heziton ta takojë atë, sepse kjo do të nënkuptonte që palët do të duhej të pajtoheshin për pozicione specifike dhe koncesione potenciale për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky ka bërë thirrje për rritje të presionit ndaj liderit rus, duke thënë se Putini frikësohet nga sanksionet dhe që sanksionet sekondare do ta gjunjëzonin ekonominë ruse.

Ai i ka bërë këto komente pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka mirëpritur Zelenskyn në Uashington më 17 tetor për të diskutuar për negociatat e së ardhmes për paqe.

Zelensky është nisur në Shtëpinë e Bardhë për herë të tretë këtë vit me idenë se do të diskutojë ndonjë marrëveshje për armët, që parasheh furnizimin e ushtrisë amerikane me dronë ukrainas, në këmbim të raketave me rreze të gjatë Tomahawk, mirëpo Trump ka qenë i ftohur ndaj një pakti të tillë.

Presidenti amerikan u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që menjëherë t’i ndalin luftimet, duke thënë se mjaftueshëm gjak është derdhur, dhe i ka bërë të ditura planet për të takuar presidentin rus, Vladimir Putin në Budapest, në javët në vijim.

Data e saktë e samitit nuk është bërë e ditur./S.K/EO/

 

Exit mobile version