Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Vladimir Putin duhet t’i përgjigjet letrës së tij të hapur për të rritur mundësinë e arritjes së një armëpushimi në Ukrainë.
Në një intervistë për Sky News, Zelensky tha se letra e dërguar të premten presidentit rus ishte një nga mënyrat e pakta për komunikim mes dy vendeve.
Në letrën e tij, Zelensky kishte propozuar një takim të drejtpërdrejtë me Putinin, me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin, duke folur në një forum ekonomik në Shën Petersburg, tha se e kishte parë letrën, por se nuk shihte “asnjë kuptim” në një takim të tillë.
Zelensky, duke iu referuar letrës, u shpreh se ajo ishte dërguar publikisht pasi, sipas tij, nuk ka garanci se do të lexohej në mënyrë tjetër.
“Një letër e hapur do të thotë që ai duhet të përgjigjet për atë që është e rëndësishme për shoqërinë e tij,” tha Zelensky, duke shtuar se Rusia po i mohon realitetin e luftës publikut të saj.
Ai gjithashtu theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë mbetet mënyra e vetme reale për të ndalur konfliktin, duke përsëritur gatishmërinë për një takim me Putinin nëse kjo do të çonte drejt paqes.
