UBT News

Zelensky hedh poshtë planin e Trump për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për gazetën franceze Le Parisien, ka folur mbi mundësinë e negociatave me Rusinë në lidhje me armëpushimin dhe njoftimet e presidentit të sapo zgjedhur Donald Trump për përfundimin e luftës.

Zelensky tha se nuk do të mbështeste ngrirjen e konfliktit me Rusinë për të përshpejtuar bisedimet e paqes, duke theksuar angazhimin e tij për të mbrojtur interesat dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ai tha se është i njohur me planet e presidentit të ardhshëm të SHBA-së për të arritur një përfundim të shpejtë të luftës, por e bëri të qartë se nuk do të nxitojë për një zgjidhje që do të ishte e pafavorshme për Ukrainën.

“Trump e di për dëshirën time për të mos nxituar gjërat në kurriz të Ukrainës”, tha Zelensky në përgjigje të pyetjeve mbi një plan të mundshëm që do të përfshinte bisedime kompromisi.

Deklarata e tij vjen ndërsa ekipi i tranzicionit i Trump përgatitet të merr detyrën, me presidentin e zgjedhur që sinjalizon nevojën për kompromis për të arritur paqen.

Sipas informacioneve, ekipi i Trump po punon për një strategji që do të sillte Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve. Trump la të kuptohet se të dyja palët do të duhet të bëjnë disa lëshime për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa kritikoi ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe financiare të SHBA për Kievin.

Gjatë fushatës, Trump shpesh shprehu skepticizëm për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe bëri thirrje për një fund të shpejtë të luftës, duke theksuar rëndësinë e uljes së kostove për SHBA.

Qasja e tij ka ngritur shqetësime mes zyrtarëve ukrainas, të cilët kanë frikë se administrata e re mund të shkurtojë mbështetjen thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës.

Zelensky përsëriti se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë kthimin e territoreve të pushtuara dhe garanci për sigurinë e Ukrainës.

“Ngrirja e konfliktit vetëm sa do të zgjaste vuajtjet dhe do të lejonte Rusinë të rigrupohej. Kjo do të ishte e rrezikshme,” tha ai.

Zelensky gjithashtu pranoi publikisht për herë të parë se Ukraina e vetme nuk mund të kthejë territoret e pushtuara të Krimesë dhe Donbasit, të cilat janë pothuajse tërësisht të kontrolluara nga Rusia.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga territoret tona. Kushtetuta e Ukrainës e ndalon këtë. De fakto, këto territore janë aktualisht nën kontrollin e Rusisë. Na mungon forca për t’i kthyer ato. Ne mund të mbështetemi vetëm në presionin diplomatik nga komuniteti ndërkombëtar për të detyruar Putin të ulemi në tryezën e bisedimeve”, tha ai.

Në lidhje me atë nëse do të takohet me Putin, Zelensky tha: “Nuk ka të bëjë me atë se kush është ulur përballë jush, ka të bëjë me pozicionin në të cilin jeni kur negocioni. Unë nuk besoj se jemi në një pozicion të dobët. Por ne nuk jemi të fortë, a do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian?”

Ai paralajmëroi se hyrja në negociata me Putin për kushtet aktuale do t’i jepte liderit rus fuqinë për të diktuar kushtet në të gjithë rajonin. “Së pari ne duhet të zhvillojmë një model, një plan veprimi, një plan paqeje – quani si të doni. Më pas mund t’ia paraqesim Putin ose, më gjerë, popullit rus”, tha Zelensky.

Ai gjithashtu vuri në dukje se asnjë lider botëror “nuk ka të drejtë të negociojë me Putin pa Ukrainën”. “Ne nuk ia kemi deleguar askujt këtë mandat. Ne jemi viktimat”, tha Zelensky.

Zelensky shprehu shpresën se Trump do të kuptojë rëndësinë strategjike të mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.

Exit mobile version