Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se “trupat ruse kanë shkatërruar ose dëmtuar gati 400 objekte shëndetësore” gjatë një adresimi para ukrainasve të enjten mbrëma.
Kjo deklaratë e tij u bazua vetëm në infrastrukturën mjekësore dhe ai tha se objektet e shkatërruara janë “spitalet, maternitetet, dhe klinikat ambulantore”.
“Në zonat e pushtuara përkohësisht të Ukrainës — në lindje dhe jug — situata me qasjen në shërbimet mjekësore dhe barna është thjesht katastrofike”, tha Zelensky, duke shtuar se madje edhe kontrollet rutinë s’mund të realizohen.
Presidenti po ashtu nënvizoi mungesën e trajtimit për pacientët me kancer, si dhe mungesën e antibiotikëve dhe furnizimin thuajse të pamundur me insulinë.
Sulmi i Rusisë në një maternitet dhe spital për fëmijë në Mariupol më 9 mars ka qenë një nga incidentet që mori vëmendjen më të madhe deri më tani gjatë pushtimit të vazhdueshëm. Së paku pesë persona janë vrarë dhe 17 të tjerë janë lënduar, në mesin e tyre edhe fëmijë./UBTNews/