Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën akuzoi trupat ruse për shënjestrim të civilëve, përfshirë këtu edhe fëmijë, dhe bëri thirrje për hetim ndërkombëtar të konfliktit.
“Çfarë ata po bëjnë në Kharkiv, Okhtyrka, Kiev, Odessa dhe në qytete dhe vende tjera meriton tribunal ndërkombëtar. Ne po i dokumentojmë krimet e tyre”, deklaroi mes tjerash presidenti Zelensky.
“Veprimet kriminale të Rusisë kundër Ukrainës tregojnë shenja gjenocidi. Unë fola për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së”, tha ai, duke argumentuar se Rusisë duhet t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Lufta ka shpërthyer edhe në rrugët e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, pasi forcat ruse hynë në qytet.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më parë se kishte në shënjestër vetëm infrastrukturën ushtarake, duke thënë në një deklaratë: “Forcat e Armatosura të Federatës Ruse nuk godasin qytete dhe qyteza, ato po marrin të gjitha masat për të shpëtuar jetën e civilëve”.
Por Zelensky tha të dielën: “Ata gënjyen kur thanë se nuk do të shënjestronin popullsinë civile. Qysh nga orët e para të pushtimit, trupat ruse sulmuan infrastrukturën civile”.
“Ky është terror. Ata po luftojnë kundër çdokujt dhe çdonjërit. Po sulmojnë çerdhe, ndërtesa banimi dhe madje edhe automjetet e emergjencës. Ata përdorin artileri dhe raketa kundër blloqeve të banimit ku nuk ka pasur kurrë infrastrukturë ushtarake. Shumë qytete dhe qyteza të Ukrainës po mbijetojnë në kushtet që më parë i kishim vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi ai./UBTNews/