Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër kryeministrin sllovak Robert Fico për qëndrimin e tij mbi gazin rus, duke e akuzuar se po ndihmon presidentin Vladimir Putin në financimin e luftës në Ukrainë.
Kjo kritikë vjen pas një vizite të papritur të Ficos në Moskë, ku ai shprehu kundërshtimin ndaj reduktimit të varësisë së Sllovakisë nga furnizimet energjetike ruse.
“Një ndihmë e tillë për Putinin është e pamoralshme”, shkroi Zelensky në platformën X , duke shtuar se Ukraina i ka ofruar Sllovakisë zgjidhje për të kompensuar humbjet nga tranziti i gazit dhe alternativa për burime të tjera furnizimi.
Sidoqoftë, sipas tij, Fico ka refuzuar bashkëpunimin me Komisionin Evropian mbi këtë çështje.
Nga ana tjetër, Fico tha në një deklaratë se gjatë takimit me Putinin kishte diskutuar mbi vazhdimin e furnizimit me gaz për Sllovakinë pas 1 janarit 2025, kur një kontratë ekzistuese e tranzitit përmes Ukrainës skadon. Ai theksoi se gatishmëria e Rusisë për të vazhduar furnizimet ishte konfirmuar, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Kritikat ndaj Ficos shtohen për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Moskën, një qëndrim i rrallë midis liderëve evropianë, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Në bisedimet me Putinin, të dy liderët diskutuan gjithashtu mbi mundësitë për një zgjidhje të hershme paqësore të konfliktit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi situatën “të vështirë” dhe që kërkon “vëmendje të shtuar,” ndërsa marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Sllovakisë mbeten të tensionuara.