Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka quajtur Afrikën “peng” të luftës së Rusisë në Ukrainë gjatë një adresimi para Unionit Afrikan, të hënën.
Pushtimi i Rusisë dhe bllokimi i eksporteve të drithërave të Ukrainës, kanë shkaktuar mungesë të drithit dhe plehrave dhe kanë vënë miliona njerëz në rrezik të urisë.
Kryetari i Komisionit të Unionit Afrikan tha se ka nevojë urgjente për dialog për të rivendosur stabilitetin global. Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Rusisë të lirojë rezervat e mëdha të dridhërave në Ukrainë. Bllokada ka çuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve.
“Aktualisht, Afrika është peng… i atyre që nisën luftën kundër shtetit tonë”, tha Zelensky në një fjalim.
Ai tha se qeveria e tij është e angazhuar në “negociatat komplekse” për të zhbllokuar rezervat e grurit të bllokuara në portet e Detit të Zi të Ukrainës.
“Kjo luftë mund t’ju duket shumë e largët për ju dhe vendet tuaja”, i tha ai Unionit Afrikan. “Por çmimet e ushqimeve që po rriten në mënyrë katastrofike kanë sjellë tashmë [luftën] në shtëpitë e miliona familjeve afrikane”./UBTNews/