UBT News

Zelanda e Re sjell ligj të ri për të vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë

Zelanda e Re njoftoi të hënën se do të zgjasë sanksionet e saj kundër Rusisë përmes legjislacionit të ri dhe do të vendosë një ndalim udhëtimi për liderët kryesorë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin.

Në një deklaratë të përbashkët nga kryeministrja Jacinda Ardern dhe ministrja e jashtme, Nanaia Mahuta thuhet se vendi po sjell legjislacionin e parë në parlament këtë javë, i cili do të fuqizojë qeverinë të synojë Rusinë me sanksione të reja.

“Ligji për sanksionet ndaj Rusisë do të kalojë me urgjencë këtë javë, për të siguruar sanksione të mëtejshme, të gjera ndaj Rusisë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës”, tha Ardern.

Sipas planit të ri, Zelanda e Re do të ngrijë asetet e zyrtarëve rusë dhe do të parandalojë njerëzit dhe kompanitë që të zhvendosin paratë dhe asetet e tyre nga vendet e tjera që kanë vendosur tashmë sanksione ndaj Rusisë.

“Një projektligj i kësaj natyre nuk është sjellë kurrë në parlamentin tonë, por me veton nga Rusia ndaj sanksioneve të OKB-së, ne duhet të veprojmë për të mbështetur Ukrainën dhe partnerët tanë që janë kundër këtij pushtimi”, vuri në dukje Ardern.

Qeveria lëshoi gjithashtu një listë të re, vendosi një ndalim udhëtimi për presidentin Putin, kryeministrin Mikhail Mishustin, ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov, ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shoygu, së bashku me 98 zyrtarë të tjerë të lartë dhe individë.

Pasi Moska nisi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, Zelanda e Re të nesërmen ndaloi eksportin e mallrave për forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse dhe pezulloi konsultimet dypalëshe të Ministrisë së Jashtme deri në njoftimin e mëtejshëm.

“Kur ne fillimisht iu përgjigjëm pushtimit rus duke lëshuar ndalime për udhëtime, duke ndaluar eksportet për ushtrinë dhe duke pezulluar konsultimet dypalëshe të Ministrisë së Jashtme, ne thamë se asnjë opsion nuk ishte jashtë tryezës. Sot ne marrim hapin tjetër në përgjigjen tonë, për të rritur sanksionet, në përputhje me veprimet e partnerëve tanë”, tha Ardern.

Ajo shtoi se legjislacioni i ri është specifik për sulmet ruse ndaj Ukrainës dhe do t’i mundësojë qeverisë së saj të vendosë sanksione të reja.

Gjithashtu, Ministri i Jashtëm Mahuta i bëri thirrje Moskës të bëjë atë që është e drejtë dhe të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake në Ukrainë dhe të tërhiqet përgjithmonë për të shmangur një humbje katastrofike të jetëve.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, shkaktoi zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë shpallur një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Moskës.

Sipas shifrave të OKB-së, të paktën 364 civilë janë vrarë dhe 759 të tjerë janë plagosur në Ukrainë qëkur Rusia nisi luftën kundër vendit të Evropës Lindore më 24 shkurt, sipas shifrave të OKB-së./UBTNews/

Exit mobile version