Ligjvënësit e Zelandës së Re do të votojnë nëse do të ulin moshën kombëtare të votimit nga 18 në 16 vjeç, ka thënë kryeministrja e atij shteti, Jacinda Ardern.
Deklarata e saj erdhi pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të vendit të hënën se mosha aktuale e votimit, mosha 18-vjeçare, është diskriminuese. Rrjedhimisht parlamenti do të votojë nëse 16 dhe 17-vjeçarët do të mund të votojnë.
Çështja, e cila ka kaluar nëpër gjykata që nga viti 2020, u soll nga grupi i lobues Make It 16. Sipas këtij grupi, nuk ka arsyetim për t’ua ndaluar të drejtën e votës 16-vjeçarëve, kur ata mund të marrin patentë shoferin në këtë moshë, të punojnë me orar të plotë dhe të paguajnë taksa.
Sanat Singh, bashkëthemeluesi i saj, tha se është absolutisht i emocionuar me vendimin e gjykatës.
“Është ditë e madhe”, tha ai. “Kjo është historike jo vetëm për fushatën tonë, por për vendin”.
Ai tha se çështjet ekzistenciale si ndryshimi i klimës, si dhe çështjet sikurse rimëkëmbja pas pandemisë dhe gjendja e demokracisë, do të prekin më shumë të rinjtë./UBTNews/