Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.7 ballë ka goditur ishullin jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar një paralajmërim bregdetar dhe duke tronditur mijëra njerëz në zonat përreth. Tërmeti, i cili u regjistrua të martën, ka shkaktuar lëkundje të forta dhe ka bërë që shumë objekte të bien nga raftet dhe ndërtesat të lëkunden.
Pas tërmetit, autoritetet në Zelanden e Re, përmes Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave, paralajmëruan banorët që jetojnë në zonat bregdetare, përfshirë rajonet e Southland dhe Fiordland, të largohen nga plazhet dhe të dalin nga uji. Ky paralajmërim është bërë për shkak të mundësisë së rrymave të forta dhe të pazakonta, që mund të përbëjnë një rrezik të mundshëm për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Gjithashtu, banorët që ndodhen në barka, anije apo marina janë udhëzuar të braktisin mjetet e tyre dhe të lëvizin sa më shpejt në breg. Agjencia kërkoi që ata të mos kthehen në barka deri sa të marrin udhëzime nga autoritetet përkatëse.
Tërmeti i ndodhur në një thellësi prej 33 kilometrash, ka pasur epiqendrën rreth 160 kilometra në veriperëndim të ishujve Snares, një grup ishujsh subantarktik në jug të Zelandës së Re. Sipas monitoruesit sizmik të qeverisë, Geonet, më shumë se 4,700 persona e kanë ndjerë tërmetin, ndërsa mediat lokale raportojnë për ndodhi të shumta, si objekte që bien nga raftet dhe ndërtesa që lëkunden në mënyrë të dukshme.
Një përdorues i mediave sociale ka postuar: “Gjërat po bien nga raftet tona. Tavolina e jashtme prej druri po kërcen”, duke përshkruar pasojat e goditjes së fuqishme sizmike në zonën e tij. Për fat të mirë, Byroja Kombëtare e Meteorologjisë e Australisë ka konfirmuar se nuk ka pasur kërcënim cunami për kontinentin, ishujt apo territoret e rajonit, duke qetësuar kështu një pjesë të shqetësimeve të ngritura pas ngjarjes.
Zelanda e Re ndodhet në “Unazën e Zjarrit”, një zonë sizmikisht aktive e njohur për aktivitetin e shpeshtë vullkanik dhe sizmik, që rrethon Oqeanin Paqësor, duke e bërë këtë vend një nga më të prekurit nga tërmetet në botë./UBTNews/