UBT News

Zelanda e Re me ligj kundër shitjes së duhanit te gjeneratat e reja

Zelanda e Re do të ndalojë shitjen e duhanit për gjeneratën e ardhshme, në përpjekje për të ‘zhdukur’ përfundimisht pirjen e duhanit.

Të lindurit pas vitit 2008 nuk do të mund të blejnë cigare apo produkte të duhanit përgjatë jetës së tyre pas një ligji që do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

“Ne duam të sigurohemi se të rinjtë s’do të fillojnë kurrë pirjen e duhanit”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë, Ayesha Verall.

Lëvizja është pjesë e një strategjie gjithpërfshirëse kundër duhanpirjes të shpallur nga ministria e shëndetësisë e Zelandës së Re të enjten.

Mjekët dhe ekspertët e tjerë të shëndetit në vend kanë mirëpritur reformat “udhëheqëse në botë”, të cilat do të reduktojnë aksesin në duhan dhe do të kufizojnë nivelet e nikotinës në cigare.

“Kjo do t’i ndihmojë njerëzit të heqin dorë ose të kalojnë në produkte më pak të dëmshme dhe do t’i zvogëlojë gjasat që të rinjtë të varen nga nikotina”, tha prof.Janet Hook nga Universiteti i Otagos.

Zelanda e Re është e vendosur të arrijë një objektiv kombëtar për të reduktuar shkallën e saj kombëtare të pirjes së duhanit në 5% deri në vitin 2025, me synimin për ta ‘zhdukur’ përfundimisht.

Aktualisht, rreth 13% e të rriturve në Zelandën e Re pinë duhan, nga 18% rreth një dekadë më parë. Por shkalla është shumë më e lartë – rreth 31% në mesin e popullsisë indigjene Maori, të cilët gjithashtu vuajnë një shkallë më e lartë e sëmundjeve dhe vdekjeve./UBTNews

Exit mobile version