UBT News

Zelanda e Re heton sëmundjen misterioze që po vret pinguinët e rrallë

Një sëmundje misterioze po shkatërron zogjtë e pinguinëve me sy të verdhë, të cilët janë të rrezikuar në Zelandën e Re dhe shkencëtarët thonë se mund të kenë gjetur shkakun.

Prej këtij lloji mbetur edhe rreth 2,400 zogj të rritur, sipas vlerësimeve të autoriteteve të vendit.

Statusi i tyre konsiderohet “i kërcënuar — i rrezikuar kombëtarisht”. Është niveli më i lartë i rrezikut në vend.

Sëmundja misterioze e frymëmarrjes u shfaq për herë të parë në 20 zogj të sapolindur në vitin 2019.

“Ata nuk ishin në gjendje të mbanin kokën lart”, tha për AFP, Lisa Argilla.

“Ishte zemërthyese të shihje këta zogj të vegjël në një gjendje kaq kritike”, tha ajo.

“Të gjithë zogjtë që treguan shenja të frymëmarrjes vdiqën – nuk mund të bënim asgjë për t’i shpëtuar”.

Gjatë vitit 2020, një e treta e 150 zogjve të pinguinëve me sy të verdhë të sjellë në spital vdiqën nga problemet e frymëmarrjes, tha Argilla.

Profesor Jemma Geoghegan, një virologe evolucionare, është pjesë e një ekipi specialistësh që hetojnë sëmundjen.

“Spitali i kafshëve të egra provoi gjithçka në fuqinë e tij për ta parandaluar atë, por pa e ditur shkakun është shumë e vështirë të menaxhohet”, tha ajo.

“Ka dy sëmundje që ne kemi hetuar dhe kemi gjetur dy viruse që mendojmë se janë përgjegjës”, tha Geoghegan.

Ekipi kishte identifikuar një xhirovirus të ri dhe një megrivirus të ri, tha ajo.

Midis tyre, sëmundjet mendohet se kanë vrarë rreth 25 përqind të zogjve të pinguinëve me sy të verdhë – afërsisht 50 çdo vit – në sezonet e fundit të shumimit, tha Geoghegan.

“Ne kemi identifikuar se çfarë mendojmë se mund të jetë shkaku dhe më pas nevojiten shumë kërkime për të përcaktuar nëse mund ta parandalojmë ose trajtojmë sëmundjen”, u shpreh ajo.

Për momentin, zogjtë më të vegjël se pesë ditë po merren nga foletë e tyre në spitalin Dunedin Wildlife, ku mund të rriten larg rrezikut të infeksionit./UBTNews/

Exit mobile version