UBT News

Zëdhënësi taliban tregon pse s’emëruan ministre: Gratë janë ato që lindin e edukojnë

Një zëdhënës i talibanëve deklaroi të enjten se gratë nuk do të marrin asnjëherë ndonjë pozitë ministrore në qeveri, sepse, sipas tij, kjo është “barrë që ato s’mund ta bartin”.

Në një intervistë për televizionin afgan, Tolo, zëdhënësi Sayed Zekrullah Hashimi, deklaroi se talibanët nuk vlerësojnë se gratë janë gjysma e shoqërisë dhe se emërimi në ministri për to do të ishte si t’u vendosësh diçka në qafë që s’mund ta bartin.

Videoja e publikuar në internet e shfaq bisedën mes zëdhënësit të talibanëve dhe një prezantuesi. Zëdhënësi Hashimi dëgjohet duke thënë se gratë që po protestojnë në rrugë nuk janë gra të Afganistanit.

“Gra të Afganistanit janë ato që lindin afganë, që i edukojnë ata për etikën islame”, tha Hashimi, shkruan Daily Mail.

Talibanët janë munduar që ta distancojnë veten nga politikat e regjimit të vjetër, por ka raportime të shumta për rrahje të protestuesve dhe ndalimin e sportit për gratë.

“Gruaja nuk mund të jetë ministre, është si t’i vendosësh diçka në qafë që s’mund ta bartë. Nuk është e nevojshme që gratë të jenë në kabinet. Ato duhet të lindin. Gratë protestuesve s’mund t’i përfaqësojnë të gjitha gratë e Afganistanit”, shtoi zëdhënësi i talibanëve.

Ndryshe, mediet shtetërore ruse kanë raportuar se talibanët janë duke e shqyrtuar mundësinë që inaugurimin zyrtar të qeverisë së re ta bëjnë pikërisht më 11 shtator – në 20-vjetorin e sulmeve të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Exit mobile version