Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, gjatë kohës së luftës në vendin tonë 1998-99, Tony Blair. Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.
Ai tha se para 25 vjetësh, Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.
Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Blair është krenare dhe e lavdishme si edhe vetë liria e Kosovës.
Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.
Derisa citoi ish kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 viteve. Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë.
Në një fjalë rasti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i është përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë.
Kryetari Krasniqi tha se Blair ka treguar guxim, dhembshuri dhe përkushtim për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.
Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku tha se Ferizaj sot po feston më ndryshe përvjetorin e çlirimit, duke zbuluar shtatoren e Blairit. Ai tha se kontributi dhe vendosmëria e Tony Blair ishin vendimtare për përfundimin e luftës në Kosovë.
Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair dhe iniciatori, Bashkim Fazliu tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje, ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit tonë për kontributin e Blair në çlirimin e vendit.
Ai tha se në kohën kur në Kosovë po ndodhte spastrimi etnik nga okupatori serb, Blair nuk qëndroi duarkryq, por veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, duke shtuar se populli jonë do të jetë përjetësisht falenderues për kontributin e tij.
Shtatoren e Tony Blair e ka punuar skulptori, Agon Qosa, e cila u vendos në sheshin që mban emrin e tij, dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.