Pastërtia e Tokios, diversiteti i Nju Jorkut dhe shërbimet sociale të Stokholmit – mbi këto elemente miliarderi Marc Lore po synon ta ndërtojë “qytetin e ri në Amerikë”, dhe caktoi një arkitekt me famë botërore për ta ndërtuar atë. Lores i duhet vetëm ta caktojë vendin dhe 400 miliardë dollarë investime.
Ish-drejtuesi i kompanisë Walmart javën e kaluar zbuloi planet për qytetin Telosa, një metropol i qëndrueshëm që synon ta ndërtojë nga e para, në shkretëtirën amerikane.
Planet janë që në këtë qytet banorët të kenë qasje në vendet e tyre të punës, të ketë shkolla. Ndonëse ende planifikuesit po kërkojnë destinacionin e duhur, targetet e mundshme janë Nevada, Utah, Idaho, Arizona, Teksas dhe rajoni Appalachiat, sipas faqes zyrtare të projektit.
Njoftimi u shoqërua me një seri interpretimesh dixhitale nga Bjarke Ingels Group (BIG), firma e arkitekturës e cila synon të sjellë në jetë ëndrrën utopike të Lore. Imazhet shfaqin ndërtesa banimi, gjelbërim dhe banorët imagjinarë që shijojnë këtë peizazh të mrekullueshëm.
Faza e parë e ndërtimit, në të cilën parashihen të strehohen 50 mijë banorë në 1 mijë e 500 hektarë, pritet të kushtojë 25 miliardë dollarë. I gjithë projekti pritet të tejkalojë shifrën 400 miliardë dollarë, e synohet që të ketë 5 milionë banorë brenda 40 vjetësh.
Ky projekt pritet të financohet nga ‘burime të ndryshme’ thanë organizatorët e projektit, përfshirë investitorët privatë, filantropët, grantet federale dhe shtetërore dhe subvencionet e zhvillimit ekonomik. Planifikuesit shpresojnë se do të mirëpresin banorët e parë deri në vitin 2030./UBTNews